Një grua, Arlinda Zekaj, u vra të dielën, më 25 tetor, nga kunati i saj me sopatë, në Vitomericë të Pejës. Ajo është një nga tetë gratë e vrara gjatë vitit 2026 nga partnerët, ish-partnerët ose familjarët e tyre.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur. Deri në shtator janë regjistruar 2052 raste, nga të cilat 1626 viktima janë gra. Për krahasim, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2711 raste, prej të cilave 1931 viktima ishin femra.
Juristi Anton Nrecaj shpjegoi se, sipas ligjit në fuqi, viktimat nuk janë të detyruara ta raportojnë dhunën vetëm vetë. Edhe personat e tjerë që e shohin dhunën kanë detyrim ligjor ta raportojnë. Kur policia merr një raport, ajo është e obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.
Nrecaj tha gjithashtu se, kur rrezikshmëria vlerësohet e lartë, duhet të merren masa për konfiskimin e armëve që mund të përdoren nga dhunuesi. Sipas tij, prokuroria mund të bashkëpunojë me policinë për bastisje dhe konfiskim të armëve.
Sociologu Genx Xerxa përmendi disa faktorë që ndikojnë në dhunën në familje, si shëndeti mendor, rritja e substancave psikoaktive dhe drogave, situata socio-ekonomike dhe vonesat në procese gjyqësore. Sipas tij, këto mund ta shtyjnë njerëzit drejt vetëgjyqësisë.















