Autoritetet kompetente kanë ndërmarrë masa ndaj një personi që ka kryer ndërhyrje të paligjshme në natyrë. Bëhet fjalë për hapjen e një rruge pa leje brenda Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, më konkretisht në zonën e Lybeniqit.
Sipas informatave zyrtare, pas njoftimeve të pranuara, zyrtarët e parkut në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të verifikuar situatën.
Ndaj personit që ka drejtuar punimet është hapur procesverbal dhe i është shqiptuar një gjobë mandatore prej 1,000 eurosh. Autoritetet kanë bërë të ditur se ky është rasti i dytë që evidentohet në këtë lokacion.
Çështja i ka kaluar për njoftim edhe Prokurorisë, ndërkohë që pritet të vazhdojnë procedurat e mëtutjeshme ligjore. Institucionet kanë bërë të qartë se nuk do të tolerojnë veprime që dëmtojnë pasuritë natyrore dhe se mbrojtja e parkut do të sigurohet përmes mekanizmave ligjorë.















