Në Serbi janë ngritur dyshime se po shkatërrohen dokumente zyrtare në institucione shtetërore, pasi Lista Studentore fitoi zgjedhjet e 25 tetorit ndaj Partisë Progresive Serbe (SNS), që ka qeverisur 14 vitet e fundit. Në publik po qarkullojnë fotografi me thasë të zinj plot mbeturina dhe dokumente të copëtuara.
Dyshimet më të reja lidhen me Fondin Republikan të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (PIO). Dragan Domazet, përfaqësues i sindikatës ASNS për punonjësit e këtij fondi, tha se fotografitë janë autentike dhe se diçka e jashtëzakonshme po ndodh natën. Sipas tij, punonjësit kanë arritur të shpëtojnë një pjesë të dokumenteve. Fondi PIO nuk ka reaguar ndaj akuzave.
Kryeprokurorja e Shtetit, Zagorka Dolovac, i udhëzoi më 29 tetor të gjithë kryeprokurorët publikë t’i kërkojnë urgjentisht policisë masa për parandalimin e shkatërrimit të shkresave zyrtare. Sipas Kodit Penal të Serbisë, shkatërrimi, fshehja ose falsifikimi i dokumenteve zyrtare dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet.
Një grup studentësh nga universiteti në Mitrovicën e Veriut, që mbështesin Listën Studentore, njoftuan se kanë informacione për shkatërrim dokumentesh në Qendrën Klinike Spitalore dhe në organet e përkohshme komunale në veri. Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur këto organe gjatë dy viteve të fundit, duke i cilësuar struktura paralele dhe të paligjshme.
Drejtori i Qendrës Klinike, Zllatan Ellek, i hodhi poshtë akuzat si të pavërteta dhe të pabazuara. Ai është edhe kryetar i Listës Serbe.
Politikani opozitar Gjorgje Miketiq pretendoi më 28 tetor se dokumentet po shkatërrohen natën edhe në ministritë e Ndërtimit dhe të Financave. Këto ministri nuk kanë dhënë reagim.














