Një helikopter i misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, është rrëzuar të enjten në një fshat pranë Bërçkos.
Në aksident kanë humbur jetën katër anëtarë të ekuipazhit, ndërsa 11 persona kanë mbetur të lënduar. Këtë e ka bërë të ditur vetë misioni në një komunikatë. Ngjarja ka ndodhur në një fshat në afërsi të Bërçkos, në Bosnje e Hercegovinë, ku vepron misioni paqeruajtës evropian.
Pas tragjedisë, misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO, ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella. Në një postim, KFOR-i ka thënë se mendimet e tij janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe njerëzve të tyre të dashur.
KFOR-i ka dërguar ngushëllime të sinqerta edhe për të gjithë personelin e EUFOR-it, në këtë kohë pikëllimi të thellë.
“KFOR-i qëndron në solidaritet të plotë me EUFOR-in dhe shpreh ngushëllimet më të thella për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje tragjike”, thuhet në postim.














