GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Botë

Mbyllet “Novaya Gazeta”, një nga mediat e fundit kritike ndaj Kremlinit

Gazeta ruse “Novaya Gazeta”, një nga mediat e njohura të pavarura në Rusi dhe një nga të fundit që mbante qëndrim kritik ndaj Kremlinit, njoftoi ndërprerjen e plotë të aktivitetit. Pas vitesh presioni, censure dhe ndjekjesh ndaj gazetarëve, redaksia tha se është detyruar të mbyllë dyert.

Në deklaratën e publikuar nga gazeta thuhet: “Na kanë vrarë”. Sipas saj, më 9 nëntor do të fiken dritat e ndërtesës ku redaksia ka punuar për 30 vjet, do të mbyllen serverët dhe gazetarët do të largohen.

“Gazeta nuk ekziston më. Autoritetet dhe shërbimet sekrete ruse na kanë detyruar të ndërpresim plotësisht aktivitetin”, thuhet më tej në deklaratë.

E themeluar në vitin 1993, dy vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, “Novaya Gazeta” ishte shndërruar me kalimin e viteve në një nga zërat më të rëndësishëm të gazetarisë së pavarur në Rusi. Themelimin e saj e kishte mbështetur edhe ish-presidenti sovjetik Mihail Gorbaçov, ndërsa ish-kryeredaktori Dmitrij Muratov u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021.

Gazeta njihet gjithashtu për gazetarët e saj që humbën jetën gjatë viteve. Shtatë prej tyre u vranë gjatë periudhës së sundimit të Vladimir Putinit. Mes tyre ishte edhe gazetarja investigative Anna Politkovskaja, e cila raportonte për luftën në Çeçeni, korrupsionin dhe abuzimet e pushtetit rus. Ajo u vra me armë zjarri në hyrje të apartamentit të saj në Moskë, më 7 tetor 2006, në ditëlindjen e presidentit rus.

Presioni ndaj gazetës u rrit ndjeshëm në vitet e fundit, veçanërisht pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në mars të po atij viti, botimi i gazetës u pezullua pasi ajo kishte kritikuar luftën. Një pjesë e redaksisë u zhvendos në Riga të Letonisë, ku vazhdoi punën në internet, por edhe ky version u bllokua nga autoritetet ruse.

Vetëm dy javë më parë, forcat e sigurisë kontrolluan banesën e drejtorit aktual të gazetës, Sergej Sokolov, dhe e shoqëruan në Komitetin Hetimor të Moskës, ku u mor në pyetje për tri orë. Ai u lirua më pas pa i dhënë ndonjë shpjegim zyrtar. Organizata “Reporterët pa Kufij” e cilësoi këtë veprim si një tjetër përpjekje për t’i frikësuar gazetarët.

Gjithashtu, gazetari i “Novaya Gazeta”, Oleg Roldgin, u arrestua në pranverën e këtij viti dhe ndodhet në arrest shtëpie, nën akuzën për përdorim dhe mbajtje të paligjshme të të dhënave personale.

Në prill të vitit të kaluar, policia kishte kontrolluar edhe ambientet e gazetës, ndërsa më 4 shtator ajo u përfshi në listën e organizatave dhe personave të shpallur “agjentë të huaj” nga autoritetet ruse. Në këtë listë janë edhe 106 gazetarë dhe bashkëpunëtorë të saj. Ky përcaktim mund të sjellë dënime deri në 10 vjet burg.