Gati 300 mijë njerëz në pjesë të caktuara të Himalajeve jetojnë në zona të ekspozuara ndaj përmbytjeve. Numri real mund të jetë më i lartë, pasi anketa nuk i përfshiu të gjitha zonat e prekura.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports”, sipërfaqja nën ndërtesa në zonat me prirje për përmbytje u rrit me rreth 45 për qind midis viteve 2016 dhe 2023. Rritja u shënua në Nepalin verior, Tibetin juglindor dhe shtetin indian Uttarakhand.
Në zonat që rrezikohen veçanërisht nga tejmbushja e liqeneve akullnajore, zgjerimi i ndërtimeve arriti në pothuajse 78 për qind. Ndërtimi i vendbanimeve, i objekteve turistike dhe i infrastrukturës në këto zona po vazhdon me ritëm të shpejtë, ndërsa shkrirja e akullnajave e shton më tej rrezikun e përmbytjeve katastrofike.
Hulumtimi përfshiu zona deri në 50 kilometra në rrjedhën e poshtme të lumenjve himalajas dhe rreth 1.360 liqene akullnajore. Shkencëtarët paralajmërojnë se numri i njerëzve në rrezik mund të jetë më i madh, sepse zonat fqinje me rreziqe të ngjashme nuk hynë në analizë.
Rezultatet u bënë publike pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Nepalin në gusht. Sipas të dhënave të publikuara, në ato fatkeqësi mbetën të vdekur më shumë se 1.400 persona, ndërsa mijëra të tjerë u kërkuan si të zhdukur.
Përmbytje të reja u regjistruan edhe në tetor. Lumi Budhi Gandaki, i fryrë nga uji, dëmtoi rreth 200 shtëpi, rrëzoi pesë ura dhe la pesë persona të zhdukur.














