GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Ekonomi

AUV ndalon shitjen e mishit të pulës nga Brazili për shkak të Salmonella Minnesota

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht shitjen e mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili dhe ka urdhëruar tërheqjen e tij nga tregu. Mishi është importuar nga kompania Apetit SHPK.

Masa u mor pasi në mostrat e analizuara u gjet bakteri Salmonella Minnesota. Sipas AUV-së, gjetja u konstatua gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

Produktet në fjalë janë të markave “Coopavel” dhe “Superfrango”, të dyja me origjinë nga Brazili. Pas rezultateve laboratorike, AUV ka vendosur që ato të ndalohen përkohësisht nga qarkullimi, të vihen nën kontroll zyrtar dhe të tërhiqen nga tregu.

Salmonella Minnesota mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale. Ajo transmetohet përmes ushqimit të kontaminuar ose përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes së mishit.

Kontrollet e jashtëzakonshme vazhdojnë për të verifikuar gjithë sasinë e importuar. Ato përfshijnë gjurmueshmërinë e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe ato që kanë mbetur në stok.

AUV do të verifikojë edhe etiketimin, datat e prodhimit dhe të skadencës, certifikatat veterinare e kushtet e ruajtjes, si dhe do të kryejë analiza shtesë laboratorike.

Sipas agjencisë, operatori ekonomik është përgjegjës për sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve, për tërheqjen e tyre nga tregu dhe për informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin nëse vlerësohet i nevojshëm. Publiku do të informohet për rezultatet e kontrolleve dhe për masat e mëtejshme.