Qytetarët e Mitrovicës po përballen me vështirësi të mëdha financiare për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Situata është bërë veçanërisht e rëndë për pensionistët dhe familjet me buxhet modest, të cilët thonë se të ardhurat mujore nuk po u dalin për të përballuar shpenzimet elementare.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka shënuar një rritje vjetore prej 7.8 për qind. Ngritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te sektori i transportit, shpenzimet për strehim, ujë, energji dhe lëndë djegëse, si dhe te produktet e duhanit e pijen alkoolike.
Banorët e kësaj zone shprehen se pensionet e ulëta dhe mungesa e mundësive të mjaftueshme për punësim e bëjnë jetën e përditshme edhe më sfiduese. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë nga institucionet vendore dhe qendrore që të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe zbutjen e ndikimit të krizës ekonomike te shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.
















