Dy drejtues të lartë të policisë në Serbi janë vënë në pranga nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përfshirje në vepra të tjera penale. Bëhet fjalë për Marko Kriçak, shef i Policisë Kriminale, dhe Boshko Sekuloviq, drejtues i Shërbimit për Zbatimin e Ligjit dhe Kundër Krimit.
Sipas Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, hetimet ndaj tyre lidhen me rastin e vrasjes së Aleksandar Neshoviq, i njohur me nofkën “Baja”, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në një restorant në zonën e Senjakut.
Autoritetet e rendit dyshojnë se dy zyrtarët e lartë kanë anashkaluar prova kyçe gjatë hetimeve, nuk kanë respektuar urdhërimet e prokurorëve dhe kanë dorëzuar me vonesë pajisjet telefonike të personave zyrtarë që ndërlidhen me rastin.
Veç këtyre akuzave, ndaj Kriçakut rëndojnë edhe dyshimet e rënda për keqtrajtim dhe torturë ndaj një qytetari. Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 16 maj në ambientet e Policisë Kriminale, ku viktimës i është vendosur një kapuç në kokë dhe është sulmuar fizikisht vazhdimisht.
Prokuroria ka njoftuar se procedurat hetimore po vijojnë mbi bazën e provave të siguruara dhe se procesi do të zhvillohet pa ndikime të jashtme politike.















