Një burrë është gjetur pa shenja jete gjatë mesditës në banesën e tij të vendosur në rrugën “Mbreti Bardhyl” në qytetin e Pejës. Ekipi mjekësor i pranishëm në vendin e ngjarjes ka konfirmuar vdekjen e viktimës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se prokurori kujdestar ka dalë menjëherë në vendngjarje për t’i inspektuar rrethanat. Pas konsultimit me të, rasti është cilësuar zyrtarisht si “Hetim i vdekjes”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa njësitet e ndryshme policore po vazhdojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe detajet e këtij rasti.















