Policia gjermane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të dy 51 vjeç, në qytetin Ratingen-Hösel, nën dyshimin se kanë tentuar të vjedhin një banesë.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, më 28 tetor, rreth orës 18:45, në rrugën Eggerscheidter Straße. Një 72-vjeçar e kishte njoftuar policinë se kishte dëgjuar zhurma të dyshimta në shtëpinë e tij.
Kur doli në kopsht, ai pa dy burra që dyshohet se po përpiqeshin ta hapnin me forcë derën e tarracës. Të dy u larguan përmes pjesës së pasme të kopshtit para se të mbërrinte policia. Autoritetet nisën menjëherë një operacion kërkimi, në të cilin u përdor edhe një helikopter policor.
Me ndihmën e banorëve të zonës, të dyshuarit u gjetën në kopshtin e një shtëpie në rrugën Wiesengrund. Ata u arrestuan pa rezistuar, me ndihmën e një qeni policor.
Gjatë hetimeve, një banore raportoi një tentim tjetër vjedhjeje në rrugën Bruchhauser Straße. Policia po shqyrton nëse dy shqiptarët kanë lidhje edhe me këtë rast.
Të dy u dërguan në stacionin policor. Njëri prej tyre u lirua me urdhër të prokurorisë pasi përfunduan veprimet e para hetimore. Tjetri iu paraqit gjyqtarit, për shkak të një urdhër-arresti që ekzistonte më herët. Sipas policisë së Mettmannit, hetimet vazhdojnë, ndërsa fajësia e tyre për veprat e dyshuara nuk është vërtetuar.














