Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Vendimi u mor të enjten. Zekaj u vra më 25 tetor.
Kundër të dyjave është hapur procedurë disiplinore dhe është caktuar panel hetimor që do ta shqyrtojë rastin.
Në arsyetim, KPK thotë se Vuçetaj, si udhëheqëse e prokurorisë, ka pranuar kërkesa nga e dëmtuara dhe ka ditur për urgjencën e tyre. Sipas KPK-së, ajo ka ditur edhe se Zekajt i kanosej jeta, pasi ishte e njoftuar për raportet e prokurorëve që i kishin trajtuar rastet e saj dhe për raportet zyrtare të policisë mbi nivelin e rrezikut. KPK thekson se Vuçetaj ishte njoftuar edhe nga vetë ky Këshill, nga kryesuesi Arian Gashi dhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët kishin kërkuar trajtim urgjent të kërkesave. Megjithatë, sipas KPK-së, ajo nuk ndërmori veprimet prokuroriale që kërkon ligji dhe nuk e mori parasysh seriozitetin e kërkesave. KPK konstaton se neglizhenca e saj e vazhdueshme çoi te pasojat fatale për Zekajn.
Për Nallbani-Gacaferrin, KPK përmend ditën e 22 tetorit, kur policia u informua se ishte shkelur urdhri i mbrojtjes ndaj Zekajt. Ajo kishte raportuar se në shtëpinë e saj po qëndronin nëna dhe vëllai i bashkëshortit dhe se ky i fundit e kishte kërcënuar. Prokurorja, thuhet në arsyetim, kishte udhëzuar që i pandehuri A.S. të intervistohej si dëshmitar. Sipas KPK-së, ajo e anashkaloi kërcënimin e drejtpërdrejtë për marrje të jetës dhe nuk e vlerësoi rrezikun.
KPK thotë se Nallbani-Gacaferri nuk veproi, edhe pse ishte e njoftuar vazhdimisht për kërkesat urgjente të Zekajt. Informacionet i kishte pasur edhe si Koordinatore për Dhunë në Familje. Sipas Këshillit, ajo nuk ndërmori në mënyrë të vazhdueshme veprime prokuroriale sipas ligjit, nuk i mori parasysh provat dhe faktet gjatë hetimit dhe nuk e mori parasysh kërkesën e së dëmtuarës për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj.
















