Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se mbështetja për gratë në biznes është çështje barazie, por edhe e zhvillimit ekonomik. Ajo foli në edicionin e katërt të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B, “SHE RISES REGIONAL 2026”.
Sipas saj, konferenca u jep grave ndërmarrëse mundësi të paraqesin punën e tyre, të ndajnë përvoja dhe të nisin bashkëpunime të reja. Ajo tha se kur gratë zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria, pasi hapen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia. Gratë, shtoi ajo, ende has pengesa në qasjen te financimi, tregjet dhe rrjetet e biznesit.
Shiroka-Pula tha se nuk mjafton që gratë të nxiten të hapin biznese. Institucionet duhet të krijojnë kushte që këto biznese të rriten, të mbijetojnë në treg dhe të kenë mbështetje për sukses afatgjatë. Ajo tregoi se çështja ka rëndësi edhe për të personalisht. Në fillim të vitit 2000 ishte pjesë e grupit të punës për integrimin e grave në ekonomi, gjatë hartimit të planit të veprimit të Kosovës për barazi gjinore. Plani u miratua në vitin 2004.
Presidentja bëri të ditur se mbi 12 mijë gra kanë përfituar nga programet e mbështetjes së punësimit, por tha se duhet bërë më shumë. Sipas saj, bankat dhe institucionet financiare duhet të shqyrtojnë kritere më fleksibile të kreditimit. Një biznes, tha ajo, duhet vlerësuar edhe për idenë, planin dhe potencialin, jo vetëm për pronën që mund të jepet si garanci.
Ajo foli edhe për punën e papaguar. Ssipas saj, gratë në Kosovë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë me punë pa pagesë. Mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe ndarja jo e barabartë e përgjegjësive familjare e kufizojnë pjesëmarrjen e tyre ekonomike.
Shiroka-Pula tha se fuqizimi ekonomik i grave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, sektorit financiar, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi dhe të forcojë rrjetëzimin e grave ndërmarrëse në nivel rajonal.
















