Komuna e Gjakovës ka nënshkruar dhe filluar zbatimin e një kontrate për mirëmbajtjen higjienike të objekteve komunale, pavarësisht urdhërimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e procedurës.
Sipas dokumenteve të publikuara, kontrata me numër të prokurimit 632-25-7299-2-1-1 u firmos më 31 korrik 2026, në të njëjtën ditë që filloi zbatimi i saj.
Gjykata Administrative, nëpërmjet aktvendimit AP.nr.345/2026, kishte ndaluar përkohësisht vazhdimin e procedurës së prokurimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) deri në përfundimin e çështjes.
Komuna e Gjakovës ka argumentuar se nënshkrimi i kontratës u bazua në vendimin e OSHP-së të datës 14 korrik 2026 dhe se vendimi i gjykatës nuk ishte i njohur nga Zyra e Prokurimit dhe Zyra Ligjore në momentin e nënshkrimit.
Kontratën e kanë nënshkruar kryetari i komunës, zyrtari përgjegjës për prokurimin dhe përfaqësuesi i operatorit ekonomik fitues. Pagesat për operatorin autorizohen mujërisht nga Drejtoria për Punë të Përgjithshme dhe Administrative, pa u specifikuar shuma.
Komuna ka deklaruar se do të përcaktohet nga organet kompetente nëse ka shkelje të legjislacionit në këtë rast.
















