Rreth 2‑3 % e popullsisë në Shqipëri jeton me psoriazë, një sëmundje kronike e lëkurës që mund të shfaqet edhe te fëmijët, por është më e përhapur tek të rriturit në moshën 20‑60 vjeç.
Sipas shefit të Shërbimit të Dermatologjisë në QSUT, Monika Fida, sëmundja karakterizohet nga skuqje, eritimë dhe pllaka të forta, të cilat mund të shfaqen në zona të vogla apo të mëdha dhe shpesh përfshijnë skalpin, thonjtë e duarve dhe artikulacionet.
Diagnostikimi i hershëm është thelbësor, pasi psoriaza rrit rrezikun për sëmundje të tjera, duke përfshirë sindromën metabolike, diabetin, obezitetin dhe çrregullimet kardiovaskulare. Stresi konsiderohet një faktor kryesor që përkeqëson shfaqjen dhe përparimin e sëmundjes.
Faktoret shtesë që mund të përkeqësojnë gjendjen janë duhanpirja, mungesa e vitaminës D3, përdorimi i disa medikamenteve dhe infeksionet. Në aspektin psikologjik, pacientët shpesh përjetojnë stigmatizim dhe rrezik të shtuar për depresion.
Dermatologët inkurajojnë pacientët të kërkojnë trajtim sa më herët. Në Shqipëri, trajtimet biologjike janë tashmë në përdorim, duke ofruar perspektiva të reja për kontrollin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
















