Bashkimi Evropian thotë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndikon në themelet e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, as në detyrimet që kanë marrë palët.
Një zëdhënës i BE-së ka bërë të ditur se dialogu nuk varet nga liderë të veçantë politikë dhe se të gjitha zotimet e deritanishme mbeten në fuqi.
Sipas tij, këto zotime përfshijnë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të vitit 2023 dhe Aneksin e Zbatimit të saj, të njohur si Marrëveshja e Ohrit.
Për një ndryshim të mundshëm të qëndrimit negociator të Serbisë pas zgjedhjeve, zëdhënësi tha se është ende herët për përfundime. Sipas tij, në këtë fazë do të ishte e parakohshme të bëhen spekulime për ndryshime të mundshme ose për pasojat e tyre në dialog.
BE-ja pret që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, t’i respektojë detyrimet ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Zëdhënësi shtoi se BE-ja është e gatshme të angazhohet me udhëheqjen e re në Serbi, për të siguruar vazhdimësinë dhe për ta ruajtur dinamikën e procesit.
Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka hapur diskutime për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi dhe për ndikimin e mundshëm në përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë.
















