Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka dalë fituese në një mosmarrëveshje juridike kundër një tregtari nga Hong Kongu, i cili kishte shfrytëzuar identitetin e saj për të tregtuar mallra pa leje zyrtare.
Sipas vendimit të marrë, adresa e internetit që shërbente për këtë aktivitet tregtar do të kalojë në pronësi të kompanisë së artistes. Referuar mediave britanike, një individ i njohur si Gary kishte hapur faqen e internetit ku tregtonte veshje dhe aksesorë duke lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një dyqan zyrtar të këngëtares.
Çështja u dërgua për shqyrtim në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila i dha të drejtë artistes shqiptare, pasi u konstatua se regjistrimi ishte bërë në keqbesim. Përveç suksesit në skenën muzikore, marka e Dua Lipës gëzon një vlerë të lartë ekonomike, ndërsa kompania e saj menaxheriale raporton fitime dhe vlerësime të konsiderueshme financiare nga veprimtaritë e ndryshme tregtare.
















