Autoritetet policore kanë regjistruar disa raste të dhunës në familje gjatë fundjavës në disa rajone të ndryshme të vendit, ku janë ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj personave të dyshuar.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarjet janë shënuar në Prishtinë, Lipjan, Viti, Klinë dhe Pejë. Në kryeqytet janë shënuar dy raste, ku një grua ka lajmëruar se është kanosur verbalisht, ndërsa në rastin tjetër palët janë liruar pas intervistimit me vendim të prokurorisë. Në Lipjan, një person dyshohet se ka sulmuar një grua pas një mosmarrëveshjeje, ndërsa në Viti është arrestuar një qytetar nën dyshimet për dhunë psikike ndaj dy familjarëve.
Ndërkaq, në komunën e Klinës dhe në Pejë janë evidentuar raste të dhunës fizike ku viktimat kanë marrë ndihmë mjekësore, kurse të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit. Policia bën të ditur se hetimet dhe procedurat e mëtutjeshme janë duke vazhduar për të gjitha rastet e raportuara.
















