Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka realizuar inspektime në terren në Kalanë e Kaninës, me synim regjistrimin e gjendjes së tanishme të monumentit dhe vlerësimin e ndërhyrjeve të kryera deri tani. Specialistët e institutit kanë vërejtur gjendjen e strukturave historike, duke u fokusuar te ruajtja e vlerave arkitektonike dhe e autenticitetit të monumentit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se monitorimi në terren mbetet proces i rëndësishëm për ndjekjen e gjendjes së monumenteve dhe për sigurimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Kalaja e Kaninës është monument historik dhe kulturor e vendosur rreth 6 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në fshatin me të njëjtin emër. Fortifikimi datohet nga periudha iliriane, konkretisht nga shekulli IV para Krishtit, ndërsa është rindërtuar në periudha të ndryshme nga romakët, bizantinët dhe osmanët. Nga kala ofrohet një pamje panoramike mbi gjirin e Vlorës dhe detin Adriatik.
Aktualisht, në kala vijojnë punimet konservuese, strukturale dhe gjeologjike. Projekti synon konsolidimin dhe ruajtjen e strukturave historike të kalasë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve për vizitorët.
















