Trepça po kalon një periudhë të mirë në basketboll: ka tri fitore radhazi në Superligën e Kosovës dhe tri në FIBA Europe Cup.
Fitoren e tretë evropiane, kampionia e Kosovës e regjistroi të mërkurën ndaj Batumit në Tbilisi të Gjeorgjisë. Me këtë rezultat ajo e forcoi pozitën në Grupin A.
Drejtori i klubit, Izet Tahiri, tha se seria e fitoreve ka sjellë energji pozitive dhe motivim për ndeshjet që vijnë. Sipas tij, ekipi dëshiron ta mbajë këtë ritëm edhe të dielën, kur do të përballet me Sigal Prishtinën. Tahiri e quajti këtë ndeshje "El Clasico" të basketbollit kosovar.
Ai paralajmëroi se Prishtina nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka lojtarë të huaj cilësorë. Ppranoi se kundërshtari ka disa probleme, por theksoi se Trepça shkon në këtë ndeshje për të fituar dhe shpreson të shënojë fitoren e katërt rresht në Superligë.
Pas derbit, mitrovicasit udhëtojnë drejt Gjermanisë. Të mërkurën ata do të ndeshen me Trierin në FIBA Europe Cup dhe edhe aty synojnë fitoren.
Në Grupin A, Trepça është e dyta me shtatë pikë, një më pak se Trieri, i cili i ka fituar të katër ndeshjet e luajtura. Pas tyre vijnë Spliti dhe Patrasi me nga gjashtë pikë, Opava me pesë dhe Batumi me katër.
Sipas Tahirit, kalimi i fazës së grupeve do të ishte sukses i rëndësishëm për klubin, që dëshiron ta përfaqësojë sa më mirë Mitrovicën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Në FIBA Europe Cup garon edhe Bashkimi, i cili në Grupin F ka një fitore dhe dy humbje.
















