Automjetet e prodhuara në Kinë po sigurojnë një hov të ndjeshëm në tregun ndërkombëtar, duke u shndërruar në konkurrente të forta për prodhuesit nga Evropa, Japonia dhe Korea e Jugut falë çmimeve dukshëm më të favorshme.
Sipas një analize të kompanisë konsulente AlixPartners, ndryshimi në kosto nuk vjen vetëm si pasojë e subvencioneve shtetërore. Një nga faktorët kryesorë mbetet qasja e lehtë në lëndët e para dhe kontrolli i plotë mbi zinxhirin e furnizimit. Shpenzimet për ndërtimin e një veture elektrike në Kinë llogariten mesatarisht rreth 20 mijë e 100 euro, derisa një model i ngjashëm në Evropë kushton afër 30 mijë e 700 euro.
Përpunimi i materialeve luan një rol kyç, pasi një pjesë e madhe e kapaciteteve botërore për trajtimin e tyre janë të përqendruara jashtë kontinentit evropian. Kjo i lejon prodhuesit kinezë të prodhojnë qelizat e baterive me kosto më të ulët për kilovat-orë sesa homologët e tyre evropianë.
Krahas çmimit, markat nga Kina shënojnë përparësi edhe në kohën e zhvillimit të modeleve të reja, të cilat shpesh dalin në treg për më pak se dy vjet, duke reflektuar edhe në shifra më të larta të shitjeve për automjetet e reja krahasuar me prodhuesit tradicionalë evropianë.















