GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Ekonomi

Lipjani i jep 3 hektarë tokë komunale kompanisë së njohur për 99 vjet

Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet të një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë tokë komunale në Zonën Kadastrale Konjuh, pa kompensim të qirasë.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal, ku u shqyrtua oferta e paraqitur nga kompania prodhuese “Birra Peja”, e cila gjendet në pronësi të vajzës së biznesmenit Blerim Devolli. Sipas dokumentacionit zyrtar, prona prej tre hektarësh, e ndarë në dy parcela, i është ndarë kësaj kompanie me qëllim të ngritjes së një fabrike për prodhimin e lëngjeve.

Gjatë seancës, komisioni vlerësues ka bërë të ditur se propozimi ka marrë mbështetje unanime nga anëtarët e tij. Ndërkaq, interesi ekonomik i paraqitur në dokumente përfshin një vlerë të planifikuar investive prej mbi 33 milionë eurosh, si dhe parashikimin për punësimin e një numri të madh punëtorësh brenda një afati prej 36 muajsh për realizimin e projektit.

Ky vendim ka ngjallur reagime dhe kundërshtime të ashpra nga ana e opozitës në Kuvendin Komunal. Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur hapur pakënaqësitë e tyre gjatë diskutimeve, duke u fjalosur me drejtuesit e seancës rreth mënyrës se si është trajtuar dhënia e pronës publike.