Rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të jetë ndër prioritetet kryesore dhe më të ngutshme të ekzekutivit të ri serb. Kështu ka vlerësuar analisti politik Dushan Janjiq, duke shtuar se autoritetet e reja fillimisht do të duhet të njihen me detyrimet e deritanishme.
Sipas tij, procesi i ardhshëm pritet të jetë më transparent dhe do të përfshijë çështje konkrete që lidhen me komunitetin serb. Kjo përfshin çështjen e vetëmenaxhimit, zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe temat financiare, pronësore, pensionet dhe sigurimet shëndetësore e sociale.
Janjiq ka theksuar gjithashtu se para se të rinisë dialogu politik, duhet të sqarohet çështja e mosrespektimit të Kapitullit 5 të marrëveshjes për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një parakusht të rëndësishëm për ecurinë e mëtutjeshme.
















