Për të pestën ditë me radhë, në kryeqytet do të zhvillohet një tubim protestues për të kërkuar drejtësi lidhur me vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Organizimi është paralajmëruar të nisë duke filluar nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërsa thirrja vjen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Sipas njoftimit të organizatorëve, kërkesat e qytetarëve mbeten të pandryshuara, duke kërkuar drejtësi për viktimën, përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe masa më të mëdha sigurie për gratë në vend.
Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat do të vijojnë derisa organet shtetërore të japin llogari për dështimet që çuan në këtë ngjarje tragjike, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.
















