Konferenca Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B, Edicioni IV, «SHE RISES REGIONAL 2026», ka mbledhur përfaqësues institucionalë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Fokusi ishte fuqizimi ekonomik i grave, zhvillimi i ndërmarrësisë dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Gjatë dialogut ministror, ministrat e ekonomisë dhe industrisë prezantuan politikat, programet mbështetëse dhe sfidat me të cilat përballen gratë në biznesin e tyre. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se mbështetja financiare, qasja në tregje, inovacioni dhe edukimi i vazhdueshëm janë shtyllat kryesore për rritjen e pjesëmarrjes së grave në ndërmarrësi.
Ministria ka ndarë skema të veçanta mbështetëse për bizneset në pronësi të grave, me grante në vlerë prej 200 mijë eurosh. Kjo skemë është tashmë e mbyllur. Ministrja njoftoi hapjen e një skeme të re për grante inovacioni, me vlerë prej një milion eurosh, e cila është e hapur për aplikim deri më 30 nëntor.
Sipas saj, përfituese janë edhe bizneset me grua në pronësi ose bashkëpronësi në skemat e tjera të ministrisë, përfshirë mbështetjen për makineri, certifikimin e produkteve dhe sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit (ICT).
Ministrja theksoi se vetëm 15 për qind e bizneseve të regjistruara në Kosovë janë në pronësi të grave, një përqindje që, sipas saj, duhet të rritet përmes incentivave dhe edukimit të vazhdueshëm. Gjatë viteve 2024 dhe 2025, u mbështetën gjithsej 103 ndërmarrje të udhëhequra nga gratë: 70 në vitin 2024 dhe 33 në vitin 2025.















