Inflacioni vjetor në Kosovë arriti në 7,8 për qind në shtator. Rritjet më të mëdha të çmimeve u shënuan te transporti, te banimi dhe te energjia. Kjo po e rëndon jetesën e qytetarëve dhe po e vështirëson punën e bizneseve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se inflacioni i lartë vjen nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Si shkaqe të brendshme ai përmendi çmimin e energjisë elektrike dhe daljen e bizneseve në tregun e lirë pa plan të mirëmenduar dhe pa fazë tranzicioni. Sipas tij, asnjë biznes nuk ka qenë kundër liberalizimit, por procesi nuk u përgatit siç duhej.
Nga faktorët e jashtëm, Rafuna veçoi zhvillimet gjeopolitike dhe shtrenjtimin e derivateve të naftës. Ai shtoi se Kosova importon shumë mallra dhe ka deficit të lartë tregtar, prandaj me importin vjen edhe një pjesë e inflacionit të jashtëm.
Rafuna vlerëson se Qeveria duhet të përgatisë një paketë masash për ta zbutur ndikimin e çmimeve. Ai propozoi uljen e akcizës ose të tatimit mbi vlerën e shtuar për derivatet e naftës. Sipas tij, shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë masa të tilla, ndërsa në Kosovë askush nuk po merret me një paketë të këtillë.
Nëse ndihma nuk mund t’u jepet shumë qytetarëve, Rafuna thotë se Qeveria duhet të ndërhyjë të paktën në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt te çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë. Masa konkrete kërkon edhe ekonomisti Bashkim Mustafa.















